Kroacia bllokon një tjetër produkt shqiptar: Pasta e fistikëve me toksina të rrezikshme

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.10.2025, 11:23

Autoritetet kroate kanë bllokuar dhe asgjësuar një ngarkesë me pastë fistikësh (pasta pistachio) të ardhur nga Shqipëria, pas zbulimit të niveli të lartë të aflatoksinës, një toksinë e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar më 3 tetor në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), ngarkesa u ndalua në kufi nga autoritetet kroate që më 8 shtator, pasi analizat laboratorike konfirmuan tejkalim të ndjeshëm të normave të lejuara të aflatoksinës, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Si pasojë, e gjithë ngarkesa është asgjësuar, ndërsa shtetet e tjera anëtare të BE-së janë njoftuar për të ndërmarrë masa parandaluese, në rast se produkti është shpërndarë edhe në territoret e tyre.

Ky është rasti i dytë brenda pak javësh që një produkt shqiptar ndalohet në kufijtë e BE-së për shkelje të sigurisë ushqimore, duke ngritur shqetësime serioze mbi efektivitetin e kontrollit cilësor dhe sistemeve të certifikimit në Shqipëri.

Aflatoksina është një toksinë natyrale që prodhohet nga disa lloje kërpudhash si Aspergillus flavus, dhe mund të zhvillohet në produktet bujqësore si fistikët, nëse ruhen në kushte të papërshtatshme lagështie dhe temperature. Konsumimi i saj mund të shkaktojë dëmtime në mëlçi dhe të rrisë rrezikun për kancer hepatik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit