Policia greke ka zbuluar detaje të reja tronditëse në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në një kamping në Finikounda.
Sipas policisë, hetimet po përqendrohen te një autor i vetëm, i cili sipas dëshmive mund të jetë i mitur.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:30, kur autoritetet u thirrën në kamping pas raportimeve për të shtëna. Në vendngjarje u gjetën dy viktima të pajeta: një 68-vjeçar grek, pronar i kampingut, dhe një shqiptar rreth 60 vjeç, që shërbente si kujdestar.
Sipas burimeve nga policia dhe dëshmive të banorëve, autori, me fytyrë të mbuluar, hyri në recepsionin e kampingut dhe qëlloi për vdekje pronarin. Më pas, ai vrau edhe punonjësin, i cili kishte tentuar të largohej. Autori u largua me nxitim nga vendi i ngjarjes, ndoshta me motoçikletë. Arma e përdorur dyshohet të ketë qenë një pushkë gjahu.
Ekspertët e kriminalistikës zbuluan se 68-vjeçari ishte qëlluar me 2 plumba, ndërsa 60-vjeçari me 3 plumba. Sipas autoriteteve, ekziston dyshimi se autori dhe viktimat njiheshin.
Zyrtarët e policisë kanë konfirmuar se rreth një muaj më parë, viktima – pronari i kampingut – kishte raportuar një sulm me pushkë ajri ndaj tij, në një tjetër biznes që posedonte në të njëjtin fshat. Pavarësisht incidentit të mëparshëm, nuk ishte regjistruar ndonjë kërcënim i mëvonshëm ndaj tij.
Policia e Mesinisë po vijon hetimet intensive për të identifikuar dhe kapur autorin e krimit të rëndë, i cili ka tronditur komunitetin vendas dhe më gjerë.