Olgert Kola, 46 vjeç, është arrestuar nga autoritetet greke pasi përplasi për vdekje një 44-vjeçar me origjinë nga Bangladeshi dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Ngjarja e rëndë ndodhi në një zonë të banuar, ku viktima humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Kola pranoi autorësinë e aksidentit, duke deklaruar se gjithçka kishte ndodhur për shkak të pakujdesisë.
Sipas policisë greke, Kola nuk kishte leje drejtimi në momentin e aksidentit. Pas ngjarjes tragjike, ai u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes pa dhënë ndihmën e nevojshme. Kjo solli nisjen e kërkimeve intensive për kapjen e tij, të cilat zgjatën tre ditë. Falë kamerave të sigurisë në zonë, autoritetet arritën të identifikojnë dhe lokalizojnë shqiptarin.
Aktualisht, Olgert Kola ndodhet në paraburgim dhe do të dalë përpara gjykatës për masë sigurie. Ai do të përballet me akuzat për "vrasje nga pakujdesia" dhe "braktisje të viktimës në vendin e aksidentit", vepra që në Greqi dënohen rëndë. Rasti ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë rrugore dhe respektimin e ligjeve nga drejtuesit e mjeteve.