Një rrëfim i rrallë dhe prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, nga një qytetar shqiptar që kujton një ngjarje dramatike të ndodhur 26 vite më parë, gjatë periudhës kur shumë bashkëatdhetarë ende merrnin detin drejt Italisë në kërkim të një jete më të mirë.
Burri tregon se në vitin 1999, teksa ndodhej në një gomone me mbi 30 persona, përjetoi një moment që do t’i mbetet përjetësisht në kujtesë, shpëtimin e një vajze që po mbytej në mes të detit Adriatik.
“Ishim në gomone mbi 30 veta. Pasi u larguam shumë nga bregu, një vajzë kishte mbetur poshtë gomones duke u kapur me duar pas një litari që e tërhiqte zvarrë në det. Duart i ishin lodhur dhe po thërriste ‘mami, mami’... për fat të mirë unë isha në fund të gomones dhe e dëgjova. Rrezikova jetën time, u vara poshtë dhe i kapa duart. E hodha sipër në gomone, në mes të të tjerëve. Në çdo moment duart e saj mund të ishin lëshuar dhe ajo do të kishte humbur jetën.”
Ai tregon se e vetmja gjë që mban mend pas mbërritjes në Bari të Italisë ishte një gjest i vajzës që i mbeti thellë në zemër:
“Kur kemi dalë në Bari, ajo ngriti dorën në distancë në shenjë falënderimi. Që atë ditë nuk e pashë më kurrë.”
Pas më shumë se dy dekadash, ai vendosi të ndajë historinë me shpresën që vajza, nëse është gjallë, ta lexojë ose që ndonjë i afërm i saj ta njohë këtë episod.
“Doja të dija a është gjallë ajo vajzë, ose ndoshta ua ka treguar familjarëve historinë. Besoj që ajo atë ditë pa vdekjen me sy.”
Ky rrëfim është një kujtesë prekëse e sakrificave që shumë shqiptarë vijonin të përjetonin edhe në fund të viteve ’90, teksa morën detin drejt Italisë në kërkim të një jete më të mirë, përballë frikës, pasigurisë dhe rreziqeve të panumërta. Është gjithashtu një homazh për heronjtë anonimë që shpëtuan jetë me guximin e tyre, në një kohë kur çdo udhëtim ishte një përballje me vdekjen.