Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Saukut në Tiranë, ku një 31-vjeçar i armatosur, Imer Krrashi, u përfshi në një ndjekje të rrezikshme me policinë, duke përplasur shtatë automjete dhe një motomjet.
Ngjarja nisi në zonën e Liqenit të Thatë, ku forcat "Shqiponja" i kërkuan ndalim për kontroll, pas dyshimeve se ai mbante armë. Në përpjekje për t’i shpëtuar ndalimit, Krrashi u largua me shpejtësi drejt autostradës së Tegut, duke shkaktuar kaos në trafik dhe plagosjen e një polici jashtë shërbimit dhe bashkëshortes së tij.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, pas ndjekjes intensive, Krrashi u arrestua dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë. I plagosuri, efektivi i policisë, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa bashkëshortja e tij ka marrë lëndime të lehta.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Imer Krrashi, i cili përdorte edhe emrat Imer Masha dhe Imer Uka, nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Ai është dënuar më parë në Itali për vjedhje dhe ka qenë pjesë e grupit kriminal të Edison Pulës.
Të dy u arrestuan në shkurt të vitit 2022 për një seri vjedhjesh në Trentino, përfshirë edhe një grabitje të bujshme në një vilë luksoze në Mogliano Veneto, Itali.