Një qytetar shqiptar ka bërë një denoncim publik për platformën online RoyaleClub, që ofron shërbime bastesh dhe lojërash të fatit ku pretendon se prej shtatë muajsh nuk ka marrë dy tërheqjet e tij të parave, në total 2800 lekë. Ai shprehet se kompania i jep justifikime të ndryshme, duke përmendur bonuse, probleme me bankën dhe vonesa teknike, por pagesat nuk kryhen asnjëherë.
Sipas mesazhit të dërguar për JOQ, përdoruesi thotë se punonjësit e platformës, të cilët janë shqiptarë, marrin lekët e klientëve, por kur vjen koha për të paguar, nuk i japin paratë, duke mashtruar kështu përdoruesit e tjerë. Ai ka bashkëngjitur edhe bisedat me përfaqësuesit e kompanisë si prova të pretendimeve të tij. Autoritetet duhet të hetojnë këto denoncime për të mbrojtur qytetarët.
“Përshëndetje, dua të bëj një denoncim për një faqe online RoyaleClub. Kam dy tërheqje, njërën 2000 dhe një 800, total 2800, që më gënjejnë. Thonë: “Jo, po ka bonuse, banka”, “jo kështu”, “jo ashtu”. Kam 7 muaj që thonë: “Jo, ka pasur vonesa këtu”, “jo ashtu”, mashtrojnë. Doja ta bëja denoncim për këta, se mos mashtrohen njerëz të tjerë. Po ju nis dhe bisedat me këta mashtrues që janë shqiptarë. E marrin lekët dhe kur ka me paguar, nuk t’i japin lekët, mashtrojnë. Mos gënjehen njerëzit”, shkruan qytetari në mesazhin denoncues për JOQ.
