Një qytetare ka zbuluar substanca të huaja me pamje të kalbur dhe erë të rëndë brenda një pakoje lëngu “Bravo Multivitamin” të markës Rauch, të blerë në një market. Pavarësisht se produkti kishte të shënuar si datë skadence 17 qershor 2026, pra ishte ende në afat, gjendja e tij ishte krejtësisht e papërshtatshme për konsum.

Sipas saj, pas hapjes së paketimit, lëngu kishte erë të rëndë dhe dukshëm nuk ishte i sigurt për përdorim, gjë që ngre shqetësime të forta për mungesën e kontrollit të cilësisë në produktet që qarkullojnë në treg. Ndërkohë, edhe pamja e brendshme e produktit ishte e dyshimtë dhe aspak normale për një pije frutash.

"Sot, gjatë hapjes së një lëngu “Bravo Multivitamin” të markës Rauch, të blerë në market, kam gjetur brenda paketimit substanca të huaja si kërpurdha me pamje të kalbur dhe erë të rëndë. Në paketim është e shënuar data e skadencës 17.06.2026, pra produkti rezulton ende në afat. Kjo ngre shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe kontrollet e cilësisë së produkteve që qarkullojnë në treg. Kërkoj që autoritetet përkatëse (AKU dhe institucionet e tjera përgjegjëse) ta hetojnë rastin për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.", shkruan qytetarja.

Qytetarja i kërkon autoriteteve përkatëse, sidomos Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të hetojnë urgjentisht rastin për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një defekt të izoluar apo për një problem më të thellë me standardet e sigurisë ushqimore. Raste të tilla rrezikojnë seriozisht shëndetin e konsumatorëve dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
