Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast flagrant vjedhjeje që i ka ndodhur teksa po blinte në një dyqan fruta-perimesh në zonën e Astirit.
Sipas të moshuarës, ngjarja ka ndodhur më 1 tetor, në dyqanin “Saliaj”. Teksa ajo po fuste zarzavatet në qese, portofoli i bie aksidentalisht në tokë. Në videon e siguruar nga JOQ Albania, shihet një grua që e vëren portofolin, e shtyn me këmbë, më pas përkulet, e merr dhe largohet si pa të keq.
Denoncuesja shprehet e indinjuar, duke e cilësuar veprimin si “të turpshëm dhe të ulët”, sidomos duke qenë se gruaja në fjalë është në moshë të madhe, rreth 50-vjeçe.
“Doja nëpërmjet jush të bëj publik këtë rast, për t’i bërë thirrje zonjës që ta kthejë portofolin në dyqanin ku ndodhi ngjarja. Në të kundërt, do t’i drejtohem organeve ligjore”, – shkruan ajo në mesazhin dërguar redaksisë.
Qytetarja kërkon ndihmën e publikut për identifikimin e gruas në video, në mënyrë që portofoli t’i kthehet mbrapsht.