Një lajm i papritur ka tronditur kampin e Partizanit një ditë pas humbjes 3-0 ndaj Tiranës në derbi. Arbër Abilaliaj nuk do të jetë më pjesë e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.
Humbja e fundit duket se ka qenë pika që ka shkuar mbi kapacitetin e drejtuesit sportiv, i cili ka vendosur të japë dorëheqjen pas një periudhe të vështirë ku përgjegjësia për ndërtimin e ekipit të verës i rëndonte kryesisht mbi supet e tij.
Lajmin e bëri të ditur vetë Abilaliaj përmes rrjeteve sociale, ku falenderon klubin për mundësinë e dhënë dhe nënvizon se ka bërë gjithçka për të çuar Partizanin drejt suksesit.
39-vjeçari mori rolin e drejtorit sportiv te Partizani në korrik 2023 dhe gjatë kësaj periudhe ka marrë shpeshherë edhe detyrën e trajnerit, sa herë që skuadra ka mbetur pa udhëheqës. Pas më shumë se dy vitesh, aventura e tij me të kuqtë ka arritur në fund.