Një gropë e hapur dhe e rrezikshme ndodhet prej disa ditësh në trotuarin e rrugës “Kristaq Boshnjaku”, në zemër të qytetit të Durrësit. Sipas qytetarëve, zona është mjaft e frekuentuar, sidomos nga të moshuar dhe fëmijë, të cilët rrezikojnë të lëndohen seriozisht për shkak të mungesës së një trotuar të rregulluar.
Pllakat e trotuarit janë si mos më keq dhe tullat janë shpërndarë rrëmujshëm, ndërsa gropa është mbushur pjesërisht me mbeturina dhe rrezikon kalimtarët. E gjithë trotuari është me gropa dhe jashtë çdo standarti dhe pa siguri.
“Po rrezohen kalamaj e të moshuar. Rruga "Kristaq Boshnjaku", Durrës. Qendra e qytetit”, shkruan qytetari në mesazhin e tij denoncues për JOQ Albania.
Pavarësisht se ndodhet shumë pranë qendrës, askush nga autoritetet vendore nuk ka marrë masa për të sistemuar dëmtimin apo për të vendosur sinjalizime paralajmëruese. Mungesa e reagimit është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një rrugë me qarkullim të dendur këmbësorësh dhe automjetesh.
Qytetarët i bëjnë thirrje Bashkisë Durrës dhe kryetares Emirjana Sako që të ndërhyjë menjëherë për të rregulluar trotuarin dhe për të garantuar sigurinë publike. Mosreagimi për raste të tilla të rrezikshme është tregues i një neglizhence që nuk duhet të tolerohet, sidomos në një qytet bregdetar dhe turistik si Durrësi.