Dy agjenci funerale nën pallat, banorët: Po bashkëjetojmë me vdekjen

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.10.2025, 12:44

Një denoncim i pazakontë, por njëkohësisht i rëndë, ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e një pallati në Lagjen Gurra të Lezhës. Ata tregojnë se jetesa e tyre është kthyer në një ankth të përhershëm, për shkak të dy agjencive funerale që operojnë pikërisht në katin e parë të pallatit ku banojnë, si dhe përballë tij.

Në vend që fëmijët e pallatit të shijojnë lojërat në oborr, apo të rriten me energjinë e një lagjeje të gjallë, ata përballen çdo ditë me atmosferën e zisë. Në vend që të moshuarit të kalojnë qetësisht vitet e tyre, atyre u duhet të shohin çdo ditë ceremoni mortore të zhvilluara para syve të tyre.

“Po jetojmë me vdekjen, me ankthin dhe trishtimin që na sjell kjo prani e përditshme. Jemi të lodhur, të shqetësuar dhe të ndikuar psikologjikisht nga kjo situatë e pakuptimtë”, shprehen banorët.

Ata tregojnë se gjithçka është kthyer në një kaos të vërtetë: rrugët dhe trotuaret bllokohen nga makinat e kortezheve, oborri i pallatit, që dikur u shërbente fëmijëve si hapësirë loje, tashmë është i zaptuar, ndërsa zhurmat, vajtimi mortor, njerëzit e shumtë dhe atmosfera e rëndë e zisë kanë bërë që qetësia e përditshme të zhduket krejtësisht.

“Kjo nuk është më një lagje banimi, por një sallë mortore e përhershme. Ne kemi të drejtë të jetojmë me dinjitet, në qetësi dhe normalitet, jo të na imponohet çdo ditë ky realitet i zymtë” – shkruajnë banorët në thirrjen e tyre.

Ata i drejtohen autoriteteve vendore dhe sidomos Bashkisë së Lezhës që të ndërhyjë, duke rishikuar lejet dhe duke gjetur një zgjidhje për këtë situatë absurde.

Pyetja që ngritet nga shumë kush është e thjeshtë por therëse: Në gjithë Lezhën nuk paska vend tjetër për të hapur agjenci funerale, përveçse nën dritaret e dhjetra familjeve?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit