Kur shqiptarët bashkohen, lindin mrekulli: Esmeralda 10 vjeçe dhe Mihana 3 muajshe gjejnë shpresën për jetë

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 04.10.2025, 13:02

Mbrëmja e djeshme ishte një ndër ato momente që nuk harrohen lehtë. Dy histori dhimbjeje e shprese, dy zemra të vogla që luftojnë për jetën, u bënë arsyeja që mijëra shqiptarë nga çdo cep i botës të bashkoheshin për një kauzë të madhe.

Esmeralda, vetëm 10 vjeçe, prej një dekade të tërë është përballur me dhimbje të rënda në veshka, duke humbur fëmijërinë e saj. Tallja dhe bullizimi i shokëve vetëm sa e rënduan më shumë barrën e vogëlushes, e cila shpesh i kishte thënë nënës mes lotësh se nuk donte më të jetonte. Mbrëmjen e kaluar, ajo u ul në vendin e Elvis Naçit në emisionin “Për Shqiptarët” dhe shtypi butonin që lajmëroi mbledhjen e fondeve. Për herë të parë, pas 10 vitesh dhimbje, sytë e saj shkëlqyen nga gëzimi.

Por historia nuk mbaron këtu. Mihana, një foshnje vetëm 3 muajshe nga Dibra, që ka kaluar plot 6 ndërhyrje kirurgjikale në kaq pak ditë jetë, ndodhet ende në gjendje kritike. Familja e saj e varfër e kishte humbur çdo shpresë, ndërsa mjekët pohonin se vetëm një trajtim jashtë shtetit mund t’ia shpëtonte jetën. Falë zemrës së madhe të shqiptarëve, edhe kjo mrekulli u bë realitet: Mihana sot është nisur drejt Italisë ku do të marrë kurimin e duhur.

Brenda vetëm 24 orëve, u mblodhën 100 mijë euro – një dëshmi e fuqisë së bamirësisë dhe solidaritetit shqiptar. Lotët e dhimbjes u kthyen në lot gëzimi, ndërsa nëna e Esmeraldës shpërtheu në emocione pas një dekade sakrifice të pashoqe pranë së bijës.

Këto dy histori nuk janë thjesht lajme. Janë shembulli më i fortë se kur shqiptarët bëhen bashkë, edhe dhimbja më e madhe mund të kthehet në shpresë. Dy vajzat e vogla, Esmeralda dhe Mihana, tashmë kanë një shans real për jetë, falë mijëra zemrave që u rrahën në të njëjtin ritëm.

Shqiptarët treguan se mirësia nuk ka kufij. Dhe kur lotët e dëshpërimit shndërrohen në lot gëzimi, kupton se mrekullitë ndodhin, sepse njerëzit bashkohen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit