Një mirditor denoncon për JOQ mënyrën fyese dhe të papërshtatshme se si është paraqitur veshja tradicionale mirditore në një sfilatë mode të zhvilluar së fundmi në Tiranë, ku morën pjesë disa prej të ashtuquajturve “VIP-a”. Mirditori shpreh indinjatën e tij për keqtrajtimin e një simboli kombëtar, i cili është jo vetëm pasuri kulturore, por edhe një shenjë e qartë e identitetit historik dhe shpirtëror të krahinës së Mirditës. Veshja mirditore është një ndër veshjet më të pasura dhe më të mbrojtura në trashëgiminë shqiptare.
“Përshëndetje, jam nga Mirdita. Ju lutem, na postoni. Dje në një sfilatë mode në Tiranë u veshën me veshje tradicionale disa nga këto "VIPAT" tanë të famshëm. Është për të ardhur shumë, po shumë keq se si e kanë denigruar veshjen e mrekullueshme të gruas mirditase, e mbushur me simbole mitike dhe kulti. Tashmë është shpallur “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”. Kjo veshje kërkon të mbrohet, të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi, e jo të keqpërdoret në dëm të bukurisë e domethënies që ajo mbart”, shkruan mirditori.
Veshja e Mirditës përfshin elementë si gryka e qëndisur, tlinat dhe fundi, xhupi, xhahengu, xhamadani, qemeri, si dhe çorapet me motive mitike e kultike. Çdo detaj është simbolik gërshetat, strenga në kokë, opingat, bizhuteritë, të gjitha të punuara me dorë dhe të ruajtura me kujdes ndër breza. Kjo veshje është shpallur zyrtarisht Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Jomateriale. Dëshmitë e para për përdorimin e kësaj veshjeje datojnë që nga Mesjeta, ndërsa qëndismat e xhupit të gruas mirditore mbartin simbole mitike dhe kulturore që lidhen me trashëgiminë iliro-arbërore.
Shqiponja e stilizuar dhe kryqi, përfaqësojnë besimet, historinë dhe shpirtin e mirditorëve. Veshja është e gjallë e periudhës së formimit të shtetit të Arbërit në shekullin XII-XIII. Megjithatë, në sfilatën e fundit, ajo u shfaq në një formë të deformuar dhe pa asnjë ndjeshmëri për domethënien që kjo veshje tradicionale puro shqiptare mbart. Mirditorët apelojnë për ndërgjegjësim dhe respekt ndaj simboleve kombëtare dhe kërkohet që veshjet tradicionale të mos shfrytëzohen si dekor për protagonizëm të zbrazët, por të trajtohen me dinjitet.