“Do të ulem këtu dhe do të vdes” Pano Ruçi vazhdon ditën e 20 të grevës mes dhimbjes e rraskapitjes

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.10.2025, 11:35

I rraskapitur nga lodhja, dhimbja dhe problemet shëndetësore, shqiptari Pano Ruçi po zhvillon prej 20 ditësh grevë urie në Greqi. Ai kërkon me ngulm që të zhvarroset djali i tij, Denisi, i cili humbi jetën në aksidentin e trenave në Tempi, në mënyrë që të kryhen analizat toksikologjike dhe të zbardhet e vërteta mbi vdekjen e tij.

Në një prononcim për televizionin “Mega”, Ruçi ka deklaruar se nuk do të tërhiqet, edhe nëse kjo do t’i kushtojë jetën:

“Po vazhdoj grevën time, nuk do të ndalem, do të shkoj deri në fund. Dua të mësoj të vërtetën për djalin tim. Dua të di nga çfarë vdiq djali im. Nuk pranoj që zhvarrosja të bëhet vetëm për testin e ADN-së”.

Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm pas gati tre javësh grevë. Të premten ai u transferua në spital, ku mjekët konfirmuan hipotension, takikardi, ënjtje të gjymtyrëve të poshtme dhe një humbje peshe prej 10 kilogramësh.

Megjithatë, edhe pse forcat po i shterojnë, Ruçi thotë se e mbajnë gjallë mbështetja dhe solidariteti i njerëzve që i qëndrojnë pranë:

“Forca ime ka rënë, por njerëzit që vijnë këtu më japin kurajë”.

Ai i bën thirrje politikanëve grekë që të dalin nga indiferenca dhe të vendosin veten, qoftë edhe për një moment, në vendin e tij:

“Të mendojnë si baballarë dhe nëna, me zemrat e tyre dhe jo me karriget e tyre”.

Dy vite pas tragjedisë së Tempi-t, Ruçi thekson se trenat në Greqi vijojnë të qarkullojnë pa masa sigurie, duke paralajmëruar se protesta e tij nuk do të ndalet derisa të zbardhet plotësisht e vërteta:

“Do të ulem këtu dhe do të vdes. Nuk do të iki nëse kërkesa ime nuk pranohet. Dua të di se si vdiq fëmija im”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit