Muaji tetor ka nisur me një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike në Shqipëri, pas një vere të gjatë me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh.
Meteorologia Tanja Porja thotë se gjatë kësaj fundjave pritet të ketë reshje intensive shiu në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat veriore dhe verilindore do të regjistrohen edhe reshjet e para të dëborës për këtë sezon.
“Duke filluar nga sot do të shtohen vetëm vranësirat. Presim të ketë shi sot në mbrëmje dhe gjatë natës dhe ditës e nesërme presim reshje me sasi të konsiderueshme kryesisht në ju, juglindje dhe zonat lindore. Veriperëndimi dhe i gjithë perëndimi, pra bregdeti shqiptar deri afër Vlorës paraqitet më mirë. Në fakt sonte gjatë natës presim për herë të parë reshjet e dëborës. Do të ketë veriu dhe verilindja reshje dëbore sonte gjatë natës dhe pasditja e së enjtes dhe të premten reshjet e dëborës deri në disa centimetra priten edhe në juglindje".
Sipas saj, temperaturat do të pësojnë rënie të menjëhershme prej mbi 10 gradësh Celsius brenda 24 orëve. Zonat malore do të përjetojnë minimumet më të ulëta, duke zbritur deri në 0°C, ndërsa në pjesën perëndimore dhe në Tiranë mëngjeset do të jenë mes 8 dhe 12°C, me maksimumet që nuk pritet të kalojnë 19°C.
"Temperatura do të zbresë nga 27 gradë deri në 16 gradë. Nesër në mëngjes do të jetë edhe pjesa më e ngrohtë e ditës. Pas orës 09:00 termometri do të shënojë rënie duke kulmuar me të premten në mëngjes ku temperaturat do të zbresin nga 1 deri në 0 gradë Celcius në zonat malore. Në Tiranë dhe Perëndimin e vendit termometra i mëngjesit zbret nga 8 deri në 12 gradë, ndërsa maksimumet e zonës Perëndimore zbresin maksimumi deri në 19 gradë Celcius”, tha meteorologia Tanja Porja.
Sipas saj, ky mot është rezultat i një cikloni që sjell masa të ftohta ajrore nga veriu i Evropës drejt Mesdheut. Ajo thotë se do të përballemi me një hyrje të shkurtër të dimrit në vjeshtë, por kjo gjendje do të zgjasë vetëm deri të shtunën.
Meteorologia theksoi se gjatë muajit tetor do të kemi valë të shkurtra dy-tre ditore me mot të ftohtë e reshje, të cilat janë tipike për tranzicionin nga stina e verës drejt dimrit në rajonin mesdhetar.