Greqia është përfshirë sot nga greva të përgjithshme, me tubime masive në Athinë, Pire dhe qytete të tjera kundër projektligjit të ri që parashikon orë pune deri në 13 orë në ditë.
Studentë dhe punonjës të sektorit publik dhe privat kërkojnë që të mos pranohet kjo reformë, që sipas tyre do të shkatërrojë balancën mes punës dhe jetës personale.

Kërkesat kryesore të sindikatave përfshijnë tërheqjen e paketës së masave që rregullon orët e punës, duke e konsideruar atë një "dhuratë për interesa të punëdhënësve". Sindikatat kërkojnë rivendosjen e pagave të 13-ta dhe 14-ta, rritjen e pagave dhe rivendosjen e marrëveshjeve kolektive, si dhe heqjen e ligjit të ri disiplinor dhe projektligjit për javën e punës 13-orëshe.

Në orën 10:30 në Propylaia u zhvillua tubimi i PAME, me kërkesa për javë pune prej 35 orësh dhe rritje të pagave, ndër të tjera. Në grevë janë edhe sektori i shëndetësisë, arsimi, drejtësia, transporti publik dhe sektori hekurudhor, duke shkaktuar ndërprerje të rëndësishme në funksionimin e shërbimeve publike.
Transporti urban, përfshirë autobusët, trolejbusët, metronë dhe tramvajin do të funksionojë në oraret e kufizuara nga ora 09:00 deri në 21:00, ndërsa federata hekurudhore dhe ajo detare kanë pezulluar plotësisht shërbimet gjatë ditës.

Shoferët e taksive në Atikë gjithashtu janë bashkuar në grevë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës.
Greva po konsiderohet si një nga më të mëdhatë në vend vitet e fundit, duke reflektuar tensionet në lidhje me ndryshimet e propozuara në ligjin e punës dhe shqetësimet për të ardhmen e të drejtave të punëtorëve në Greqi.
