Pas denoncimit të turistit për erën e rëndë që vjen nga liqeni në zonën e Tushemishtit, ka reaguar Bashkia e Pogradecit duke sqaruar se situata është pasojë e motit të keq dhe se janë marrë masa për pastrimin e vijës bregliqenore.
Në një mesazh dërguar redaksisë së JOQ Albania, turisti ngriti shqetësimin se liqeni kundërmonte për shkak të algave të kalbura, duke e konsideruar zonën të papërshtatshme për pushime familjare. Ai theksoi gjithashtu mungesën e ndërhyrjes nga ana e Bashkisë, duke thënë se një nga vendet më të bukura të vendit po lihet në harresë.
“Jam në Tushemisht me familjen dhe është e padurueshme era që vjen nga liqeni. Sipas banorëve, është nga algat që nuk janë pastruar gjatë gjithë verës. Është turp që një zonë me kaq shumë turistë të trajtohet kështu”, shkroi ai.
Ndërkohë Bashkia Pogradec thotë se ka ndërhyrë në pastrimin e algave përgjatë bregut të liqenit, por për shkak të "sasisë së madhe" e kanë të pamundur t'i mbledhin të gjitha. Bashkia thotë se është në pritje të dy mjeteve të reja ndihmëse për pastrimin e menjëhershëm të algave, që janë shtuar nga moti i përkeqësuar i ditëve të fundit dhe kanë ndotur me erë të rëndë bregun e liqenit.
“Puna ka qenë e përditshme, megjithëse sasia e algave të nxjerra ka rezultuar shumë e madhe. Për të përshpejtuar edhe më tej punën, jemi në pritje të mbërritjes së dy mjeteve të reja ndihmëse: një mjet teknologjik i posaçëm për pastrimin e algave, si dhe një kamion shtesë për transportimin e tyre".
Ky shqetësim ka ngritur dyshime mbi menaxhimin e turizmit dhe resursëve natyrore në këtë zonë të njohur për bukuritë e saj natyrore.