Tuneli i Llogorasë, një prej investimeve më të rëndësishme në infrastrukturën rrugore shqiptare, ka testuar së fundmi barrierat e pagesës për automjetet. Tarifa e parashikuar për një kalim do të kushtojë 250 lekë, ndërsa vajtje-ardhje do të kushtojë 500 lekë. Ashtu siç njoftoj Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku gjatë sezonit veror, deri më 15 shtator 2025, kalimi në tunel do të ishte pa pagesë.
Projekti i tunelit ka kushtuar mbi 200 miliardë lekë, një shifër që ka ngjallur debate të ashpra për transparencën dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Tuneli 6 km i gjatë ka reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit nga 45 minuta në vetëm 7 minuta, duke ofruar një lidhje më të shpejtë dhe të sigurt drejt bregdetit të jugut.
Megjithatë, ka pasur vonesa në përfundimin e punimeve, pasi në nëntor të 2024 Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi mbylljen e tunelit për të përfunduar punimet e mbetura. Përvec kostove të larta të ndërtimit, tarifa e kalimit duket si një mënyrë për të kompensuar shpenzimet, duke i mbajtur peng qytetarët e detyruar të përdorin tunelin për lëvizjen e përditshme.
Tuneli i Llogorasë duket se po shndërrohet në një shembull klasik të abuzimit me paratë e taksapaguesve, ndërkohë që qytetarët paguajnë tarifat e vendosura pa një informacion të qartë mbi mënyrën e shpenzimit të miliona lekëve.
Në përfundim, edhe pse tuneli ofron përfitime të dukshme për udhëtarët, shqetësimet për transparencën, vonesat në përfundim dhe menaxhimin e fondeve publike mbeten të paqarta.