Profesori italian Michele D’Angelo, i arrestuar pas një aksidenti rrugor më 8 gusht në Shqipëri, përmes një mesazhi publik që i ka dërguar bashkëshortes së tij, Vanessa Castelli, ka treguar si është gjendja dhe situata e tij pas gati 50 ditësh në paraburgim në burgun e Fierit.
Në mesazhin e ndarë me mediat italiane dhe shqiptare, D’Angelo shprehet:
“Po jetoj këto ditë me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për ata që më mbështesin. Kam vetëm një dëshirë: që të zbardhet qartë ajo që ka ndodhur.”
Profesori, që jeton dhe punon në L’Aquila, thotë se masa e paraburgimit është e rëndë dhe jo proporcionale me rrethanat e ngjarjes:
“Është një situatë shumë e vështirë, veçanërisht sepse jam në një vend të huaj, larg familjes, ku nuk e flas gjuhën. Nuk po kërkoj dhembshuri, por të vërtetë. Nuk po kërkoj privilegje, por proporcionalitet. Duke marrë parasysh sjelljen time, historinë time personale dhe profesionale, si dhe ekzistencën e metodave alternative që mund të sigurojnë pajtueshmërinë me procedurat pa kompromentuar më tej shëndetin dhe ekuilibrin tim psikologjik, shpresoj vërtet që ky reflektim të pritet me kujdes” – shtoi ai.
Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor i biologjisë në Universitetin e Aquila-s dhe njëherësh shkencëtar me kontribute të njohura në fushën e kërkimeve biologjike.
Sipas mediave italiane, aksidenti ka ndodhur kur makina që drejtonte profesori italian është përplasur me një automjet tip Mercedes, në pronësi të shtetasit shqiptar E.S., i cili dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë së lartë. Dëshmitarë që ndodheshin pranë vendngjarjes kanë pohuar se profesori po qarkullonte me vetëm 40 km/h, por nuk kishte mundësi të shmangte përplasjen për shkak të manovrës së papritur të automjetit tjetër.