Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme shumë më të larta se pagat, duke e bërë të pamundur blerjen e një shtëpie për qytetarët me të ardhura mesatare. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, në vitin 2024 duhen 15.9 vite pune me pagë mesatare nominale dhe 18.6 vite me pagë reale për të blerë një apartament 70 m² në kryeqytet.
Sipas të dhënave nga KeyData dhe INSTAT, në vitin 2014, çmimi mesatar i një apartamenti prej 70 metra katrorë ishte rreth 56 mijë euro, ose 820 euro për metër katror. Ndërkohë, paga mesatare reale ishte rreth 51 mijë lekë në muaj (e indeksuar me inflacion). Kjo do të thoshte se një qytetar duhej të punonte rreth 13 vite për të blerë një apartament të tillë.
Në vitin 2024, çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë është rritur në rreth 147 mijë euro, gati trefish i asaj çmimi të mëparshëm, duke arritur në rreth 2,100 euro për metër katror. Në të njëjtën kohë, paga mesatare reale është rritur vetëm deri në 66 mijë lekë në muaj, për shkak të inflacionit dhe shtrenjtimit të kostove të jetesës. Kjo do të thotë se tani për të blerë një apartament standard, qytetarët duhet të punojnë rreth 18.6 vite me pagën reale, ose 15.9 vite nëse llogaritet paga nominale.
Kjo rritje dramatike e çmimeve është ndikuar nga disa faktorë kryesorë: shtrenjtimi i kostove të ndërtimit dhe përmirësimi i cilësisë së banesave, rritja e pagave për punonjësit në sektorin e ndërtimit, taksa të reja komunale, përfshirë taksën e strehimit dhe taksat për infrastrukturën, Inflacioni dhe rritja e çmimeve të referencës, që ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e pronave, ekonomia informale dhe përdorimi i parave nga korrupsioni në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e kërkesës nga turistët dhe investitorët e huaj, sidomos në zonat bregdetare.
Një analizë krahasuese e Property Index nga Deloitte tregon se Tirana është ndër qytetet me rritjen më të shpejtë të çmimeve të banesave në Europë. Krahasuar me qytete të tjera evropiane, ku përballueshmëria matet me numrin e viteve të punës për të blerë një apartament standard, Tirana renditet shumë lart, duke i kaluar qytete si Amsterdam, Athinë dhe Pragë.
Sipas të dhënave të Numbeo për vitin 2025, Shqipëria ka treguesin më të lartë në Europë për kohën që i duhet një familjeje mesatare për të blerë një apartament, rreth 16.3 vite pune. Ky indikator është shqetësues sepse nënkupton që strehimi është bërë i papërballueshëm për shumicën e qytetarëve.
Pasojat e kësaj situate janë të dukshme: shumë të rinj dhe familje detyrohen të jetojnë me qira për periudha të gjata, ndërkohë që emigracioni për kërkim të kushteve më të mira jetese dhe mundësive ekonomike po shtohet vazhdimisht.
Ekspertët rekomandojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria, përfshirë politika mbështetëse për blerjen e banesave, kredi me interesa të ulëta dhe rritje të ofertës së banesave sociale, në mënyrë që të përmirësohet përballueshmëria dhe të ngadalësohet ritmi i rritjes së çmimeve.
Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme lufta kundër ekonomisë informale dhe korrupsionit në tregun e pasurive të paluajtshme, që përkeqësojnë situatën dhe krijojnë barriera të mëdha për qytetarët normalë.