Një automjet superluksoz tip Lamborghini Urus, me vlerë rreth 160 mijë euro, është sekuestruar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit "Manovra", zhvilluar në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave. Automjeti u ndalua në aksin “Sauk-TEG” dhe drejtohej nga 34-vjeçari Sahit Shpataj, person me precedentë penalë për mashtrim, dhunë në familje dhe kundërshtim të forcave të rendit. Mjeti rezultoi i regjistruar në emër të një kompanie ndërtimi në pronësi të Ervin Dullës, për të cilin janë gjithashtu nisur hetime.
Sipas burimeve zyrtare, Shpataj ka përdorur kompaninë e ndërtimit për të fshehur origjinën e vërtetë të pasurisë dhe për të justifikuar posedimin e makinës luksoze, me qëllim shmangien e hetimeve për pastrim parash. Policia thekson se shtetasi Shpataj kishte refuzuar më parë t’u bindet urdhrave të kontrollit, ndërsa jeton pjesën më të madhe të kohës në Amerikën Latine. Sekuestrimi i mjetit u bë në bazë të dyshimeve të forta për përfitim të paligjshëm nga veprimtari kriminale. Sahit Shpataj nuk është një emër i panjohur për autoritetet.
Në vitin 2014 është arrestuar për mashtrim, pasi hiqej si efektiv policie dhe përfitonte para nga qytetarët. Në vitin 2024, u ndalua për dhunë në familje ndaj bashkëjetueses së tij, e cila më pas u pajis me urdhër mbrojtjeje. Policia ka nisur procedim penal ndaj tij dhe biznesmenit Ervin Dulla, ndërsa hetimet për pasuritë e dyshimta vijojnë.