Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj reperit të njohur Betim Januzi, i cili njihet me emrin artistik Buta, duke e akuzuar për shitblerje narkotikësh dhe mbajtje të armëve pa leje.
Ai u arrestua më 11 shtator dhe aktualisht ndodhet në paraburgim prej një jave.
“Më 11 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar i dyshuari B.J., në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Prokurori i Shtetit më 12 shtator 2025 ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore të Ferizajt”, theksohej në njoftimin e Prokurorisë.
Sot u mbajt seanca e parë gjyqësore ndaj reperit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, më 11 shtator rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, reperi është ndaluar gjatë një kontrolli rutinë nga policia. Gjatë kontrollit të automjetit BMW që ai drejtonte, është gjetur një qese me kokainë (0.30 gr), ndërsa në çantën e tij janë zbuluar edhe tre qese të tjera me gjithsej 1.32 gr kokainë dhe një qese me 0.46 gr marihuanë. Në banesë, policia gjeti edhe dy qese marihuanë me peshë 2.62 gr. Të gjitha u sekuestruan si prova materiale.
Prokuroria shtoi se gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë zjarri dhe municion.
“Policia gjatë një kontrolli rutinë ka ndaluar veturën e tipit BMW dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një armë zjarri e tipit pistoletë, me një karikator dhe 16 fishekë të tipit luger 9×9 mm, kurse, me rastin e kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe 26 fishekë të tipit luger me kalibër 9×9 mm”, njoftoi Prokuroria.
Nga ana tjetër, avokati i reperit, Naim Ferati, tha se nuk ka autorizim për të dhënë deklarata për media.
“Nuk mund të konfirmojmë asgjë, nuk kemi autorizim për me u prononcu për media për këtë rast”, u shpreh ai.