Zëvendësministri në detyrë Hysen Durmishi, ka komentuar dorëzimin e letrës së dorëheqjes të Liburn Aliut nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke mohuar që ka përçarje në Vetëvendosje, por sipas tij ka mospajtime për çështje të caktuara.
Durmishi i pyetur se a është tregues ky vendim i Aliut i një përçarje në Vetëvendosje meqë ai nuk po e sheh të denjë të propozuarin e partisë për Kryetar Kuvendi, ai tha se Liburn Aliu nuk është as deputet, as nuk ka qenë kandidat për deputet e as anëtar i Kryesisë në Vetëvendosje.Ai edhe pse i rezervuar të japë ndonjë koment në lidhje me vendimin e Aliut, për të cilin tha se nuk ka qenë në dijeni, ai tha se ky është qëndrim individual Aliut.
“Nuk e di, pyetni Liburn Aliun për këtë çështje.
Liburn Aliu nuk është deputet. Nuk ka qenë as kandidat për deputet. Nuk është anëtar Kryesie në Vetëvendosje. Do të thotë vendimet në Lëvizjen Vetëvendosje merren në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje,është mënyra se si funksionon një organizatë politike. Ne mundemi me pas herë pas herë mospajtime për çështje të ndryshme, të cilat diskutohen në Këshill të Përgjithshëm, mandej në Kryesi.
Por, kur merren vendimet me shumicë ato janë vendime demokratike të cilat respektohen pavarësisht ndonjë mospajtimi që mund ta ketë dikush”- u përgjigj Durmishi, kur u pyet nga KALLXO.com, se a do të thotë ky vendim i Aliut që është fundi i tij në Vetëvendosje.Aliu në njoftimin që bëri për dorëheqjen e tij, tha se arsyeja e dorëheqjes së tij lidhet me zgjedhjen e Dimal Bashës Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”- ka shkruar ai në Facebook.