Prej 8 vitesh të lidhur bashkë, autori i dyshuar debatoi me Kozetën dhe e vrau me thikë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.07.2025, 15:43

Të tjera detaje janë zbardhur rreth vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, ngjarje që tronditi opinionin publik mëngjesin e sotëm.

Ilirjan Selmani, 37 vjeç, dyshohet të jetë autor i kësaj ngjarje pasi prej 8 vitesh kishte një lidhje intime me viktimën.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Selmani ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe përfitonte pagesë invaliditeti për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Gjatë viteve të lidhjes, viktima kishte pohuar në rrethin e saj të afërt se ai i kishte marrë rreth 20 milionë lekë, para që ajo i siguronte nga ndihma ekonomike e motrave që jetonin në Greqi dhe Tiranë.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit, pas një konflikti brenda banesës së Kozetës në lagjen nr. 1 të qytetit. Gjatë debatit, Selmani e ka goditur me një mjet prerës në qafë dhe krah, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale.

Pas vrasjes, 37-vjeçari ka tentuar të zhdukë gjurmët, duke pastruar gjakun me bluza dhe peceta, të cilat i hodhi në një kazan mbeturinash pranë banesës. Këto veprime janë filmuar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë, çka ndihmoi hetuesit në identifikimin dhe shoqërimin e autorit të dyshuar.

Pas ngjarjes, Selmani është takuar me disa të njohur dhe ka deklaruar se kishte vendosur të ndahej nga Kozeta, duke aluduar për një lidhje tjetër të saj dhe motive xhelozie. Hetuesit dyshojnë se kjo është bërë për të ndërtuar një alibi dhe për të shmangur përgjegjësinë penale.

Ngjarja vijon të hetohet nga Prokuroria e Pogradecit, ndërsa pritet zbardhja e plotë e motivit dhe rrethanave të kësaj vrasjeje makabre që ka shokuar komunitetin lokal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit