Shqiptarët punojnë shumë dhe fitojnë pak!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.07.2025, 08:26

Shqipëria renditet në një pozicion të ulët në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës përsa i përket të ardhurave për frymë. Në vitin 2024, të ardhurat për frymë të shqiptarëve arrijnë në 10 mijë dollarë, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën me 9 mijë dollarë dhe Maqedoninë e Veriut me 9.3 mijë dollarë, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë përkatësisht 13 dhe 13.5 mijë dollarë. Edhe në rang europian, Shqipëria është e tetë për nga të ardhurat më të ulëta për frymë, duke lënë pas vende si Azerbajxhani, Moldavia, dhe Bosnjë-Hercegovina.

Kur merren parasysh treguesit që përfshijnë çmimet e jetesës dhe orët e punës, pozita e Shqipërisë përkeqësohet. Pavarësisht orëve të gjata të punës (43.7 orë në javë), shqiptarët kanë të ardhura më të ulëta në rajon krahasuar me fuqinë blerëse, pas Bosnjë-Hercegovinës, dhe janë të katërt në Europë, pas Moldavisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Armenisë. Të ardhurat e rregulluara për çmimet dhe orët e punës ishin 26.4 mijë dollarë në Shqipëri, krahasuar me 22 mijë dollarë në Bosnjë-Hercegovinë.

Kjo reflekton një produktivitet të ulët në sektorët me vlerë të ulët të shtuar si bujqësia dhe tregtia e vogël. Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, hendeku bëhet edhe më i thellë. Vende si Zvicra dhe Irlanda arrijnë të gjenerojnë mbi 90 mijë dollarë për frymë, ndërsa Gjermania, Austria dhe Suedia luhaten në shifrat 70–80 mijë dollarë. Shqipëria, me më pak se 26 mijë dollarë, mbetet shumë larg këtij standardi. Analiza e The Economist thekson se për të rritur produktivitetin, Shqipëria duhet të fokusohet jo vetëm në orë më të gjata pune, por në përmirësimin e efikasitetit dhe investimet në sektorë me teknologji më të lartë dhe vlerë të shtuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit