Presidenti Donald Trump ka rikthyer fushatën e tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit, duke përfshirë përpjekjet për të ulur në zero eksportet e naftës së Teheranit, me qëllim ndalimin e përpjekjeve të tij për të prodhuar armë bërthamore.
Trump firmosi një memorandum presidencial në prag të një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke rikthyer politikën e ashpër ndaj Iranit që u aplikua gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Trump e cilësoi vendimin shumë të ashpër dhe pranoi se ishte në dilemë për ta marrë atë. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për një marrëveshje me Iranin dhe tregoi interes për një takim me liderin iranian.
"Me mua është shumë e thjeshtë: Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore," deklaroi Trump. Kur u pyet se sa afër është Teherani për të prodhuar një armë të tillë, ai u përgjigj: "Janë shumë afër."
Ndërkohë, misioni i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara nuk ka dhënë ende një koment lidhur me vendimin e Trump.
Trump ka akuzuar paraardhësin e tij, Joe Biden, se nuk ka zbatuar me rigorozitet sanksionet ndaj eksporteve të naftës iraniane, duke i dhënë Teheranit mundësinë për të financuar programin bërthamor dhe milicitë e armatosura në Lindjen e Mesme.
Sipas agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore (IAEA), Irani ka përshpejtuar ndjeshëm pasurimin e uraniumit deri në 60% pastërti, një nivel që është shumë pranë 90% të kërkuar për prodhimin e armëve bërthamore. Teherani ka mohuar vazhdimisht se synon të zhvillojë armë bërthamore.
Memorandumi i firmosur nga Trump urdhëron Sekretarin e Thesarit të imponojë "presion ekonomik maksimal" ndaj Iranit, duke përfshirë sanksione dhe mekanizma zbatues ndaj atyre që shkelin masat ekzistuese. Gjithashtu, memorandum përfshin një direktivë për të ndaluar plotësisht eksportet e naftës iraniane.
Ndërkohë, Britania, Franca dhe Gjermania kanë bërë të ditur në dhjetor se janë të gatshme të rikthejnë sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit për të ndaluar përpjekjet e tij për armë bërthamore.