Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, deklaroi me krenari gjatë analizës vjetore se në qarkun e Elbasanit nuk ka ndodhur asnjë vrasje në vitin 2024, duke e cilësuar këtë një arritje historike që nuk ishte regjistruar që nga viti 1989. Por realiteti është krejt ndryshe.
Në korrik të vitit të kaluar, Enea Thomaraj, një 29-vjeçar i pafajshëm, u plagos rëndë pas një shpërthimi me tritol në hyrjen e një apartamenti në Elbasan. Pas disa muajsh vuajtje, ai ndërroi jetë në spital. Megjithatë, vdekja e tij nuk është përfshirë në statistikat zyrtare të Policisë së Shtetit, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe vërtetësinë e të dhënave që publiku dhe institucionet marrin nga autoritetet.
Ngjarja ndodhi më 14 korrik 2024, kur një sasi eksplozivi u vendos në hyrjen e apartamentit të fqinjit të motrave Nikolli. Shpërthimi e la të plagosur rëndë Thomarajn, i cili nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin. Pas një periudhe të gjatë trajtimi, ai humbi jetën, duke u bërë viktimë e një krimi të pastër, që sot zyrtarisht nuk ekziston.
Enea ishte i vetmi që punonte për të mbajtur familjen e tij, pasi babai i tij ishte i paralizuar, nëna dhe vëllai i sëmurë. Megjithatë, vuajtja e tij dhe humbja e jetës po fshihet nga autoritetet për të ruajtur imazhin e një "statistike të pastër".
A është ky një rast i izoluar apo vetëm maja e ajsbergut e manipulimit të shifrave nga institucionet? Sa vlen rendi dhe siguria, nëse realiteti fshihet pas fasadave të sukseseve të rreme?