Të shtëna me armë në një shkollë në Suedi, raportohet për të paktën 10 viktima

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.02.2025, 20:17

Autoritetet suedeze kanë raportuar për një ngjarje tragjike në shkollën Campus Risbergska në qytetin Orebro, ku janë vrarë rreth 10 persona pas një sulmi nga një person i armatosur.

Fillimisht u raportua vetëm për të plagosur, por më vonë policia konfirmoi humbjet e jetëve.

Shefi i policisë në Orebro, Roberto Eid Forest, deklaroi për mediat: “Për shkak të numrit të madh të të plagosurve, nuk mund të japim një shifër të saktë për viktimat."

Ndërkohë, motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Forest theksoi se sulmuesi dyshohet të ketë vepruar i vetëm dhe kishte përdorur pajisje për të krijuar tym brenda shkollës.

Dy mësues të shkollës, Miriam Jarlevall dhe Patrik Soderman, treguan për gazetën Dagens Nyheter: “Studentët erdhën dhe na thanë se dikush po qëllonte. Dëgjuam shumë të shtëna dhe më pas gjithçka heshti për gjysmë ore."

Sipas dëshmitarëve të tjerë, dëgjoheshin të shtëna që ngjanin me armë automatike.

Policia ka kryer një kontroll në shtëpinë e dyshuarit në Orebro. Raportimet thonë se ai është rreth 35 vjeç, kishte licencë për armë dhe nuk kishte precedent penal. Megjithatë, policia ende nuk e ka konfirmuar këtë informacion.

Kryeministri Ulf Kristersson reagoi duke shkruar në rrjetin X: "Është një ditë shumë e dhimbshme për gjithë Suedinë. Askush nuk duhet të përjetojë një tmerr të tillë në shkollë."

Në zonë u hap një kishë për të ofruar mbështetje për komunitetin e tronditur nga ngjarja. Ndërkohë, shkollat përreth u mbajtën në izolim për disa orë për arsye sigurie.

Ngjarja tronditëse ka sjellë kujtime për incidente të tjera të dhunshme në shkolla suedeze vitet e fundit, përfshirë sulme me thika dhe një sulm të motivuar racial në vitin 2015.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit