Megjithëse qëndrimet e tyre janë quajtur shpesh “radikale” nga mediat, anëtarë të grupimit britanik ‘Sovereign Project’ (Projekti i Sovranitetit) tregojnë durim dhe mirësjellje, teksa shpjegojnë pikëpamjet dhe arsyet e tyre për të refuzuar ose quajtur të jashtëligjshme taksat që kërkon qeveria nga qytetarët.
Në një intervistë me gazetarë të rrjetit Sky News, përfaqësuesi Pete Stone, i njohur ndryshe si Sovereign Pete (Piteri Sovran), shpjegon sesi funksionon në të vërtetë sistemi shtetëror.
"Nëse je ‘anëtar’ i diçkaje, ti ke pranuar anëtarësinë, ke hyrë në një kontratë, dhe mbi ty funksionon ligji tregtar detar."
Me gazetarët janë dhe gjashtë anëtarë të tjerë të Projektit të Sovranitetit, që Pete Stone ka themeluar në vitin 2020, deh tani ka më shumë se 20,000 anëtarë.
Ata përfaqësojnë një pikëpamje të re të botës që po fiton gjithnjë e më shumë influencë, çka po i shkakton probleme autoriteteve. Ata e quajnë veten "qytetarë sovranë" ose "njerëz të lirë në tokë" dhe si të tillë nuk pranojnë autoritetin apo detyrime ndaj asnjë qeverie.
Themeli i ideologjisë është refuzimi i zbatimit të ligjeve apo çdo detyrimi që ata nuk e kanë pranuar shprehimisht, siç janë deklaratat apo ligjet e qeverisë.
Grupimi ka mijëra ndjekës në platforma të ndryshme si YouTube, Facebook e Telegram dhe anëtarët me argumentet e tyre po hyjnë në konflikt me ligjin.
Dhjetra anëtarë të Projektit të Sovranitetit kanë hedhur në gjyq fatura duke hedhur dyshime mbi detyrimin e pagimit të taksave.
Zoti Stone shpjegon se praktika aktuale taksore i përket sistemit feudal të kohës së mesjetës
"Në sistemin feudal njerëzit ishin skllevër dhe detyroheshin të paguanin taksa. Pra vetëm nëse sistemi feudal vijon të operojë edhe sot, ne do të ishim skllevër e shërbëtorë. Nëse jo mënyra e vetme që dikush të paguajë taksa është ta ketë pranuar me kontratë, të kesh dhënë miratimin tënd”.
Stone shkon edhe më tej kërkesës për taksat duke thënë se “punonjësit e bashkive kryejnë krime gjatë detyrës së tyre”.
Provat tregojnë se qasja e grupimit po kthehet në një problem në Britani teksa njerëzit po interesohen për mënyra të ligjshme evitimi të taksave e faturave.
Sky News thotë se nga 374 bashki në Britani, 172 (46%) kishin seksione të veçanta për t’u përgjigjur argumenteve të qytetarëve për të shmangur taksat.
Ndërkohë pikëpamjet e Projektit të Sovranitetit shkojnë përtej taksave të banesës, duke u kthyer në anti-qeveritare ose konspiratore.
Pete Stone thotë më tej: "Disa nga protestat e fundit janë organizuar nga vetë qeveria për të bërë popullit të kërkojë mëshirë prej saj, por ne qëndrojmë mbi këtë. Ne e shikojmë botën si një fushë shahu, e kuptojmë atë që po ndodh”.
Më tej ai shton se qeveria e Britanisë nuk ka kontrollin e vendit, por një qeveri e fshehtë qëndron mbi ta.
Duke komentuar mbi zhgënjimin me gjendjen e vendit dhe të botës ,Stone përmend sjelljen me dy standarde të policisë britanike dhe turmat e refugjatëve në moshë ushtrie që vijnë pareshtur në Britani, shkruan rrjeti Sky News.
Nuk ka dyshim se pikëpamje e tyre janë radikale por popullariteti i tyre po rritet në vend, nga masa që shikon padrejtësitë që qeveria u bën çdo ditë.