Shqipëri: OJQ-të përfituan 189 milionë dollarë nga USAID në katër vite

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 04.02.2025, 15:21

Organizatat joqeveritare (OJQ) në Shqipëri kanë marrë 189 milionë dollarë nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara (USAID) gjatë periudhës 2020-2024.

Këtë informacion e ka publikuar Richard Grenell, i dërguari special i ish-presidentit amerikan Donald Trump për krizat, përmes një postimi në platformën “X”. Ai ka ndarë shifrat e financimeve për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku rezulton se OJQ-të e Kosovës kanë përfituar më shumë, me një total prej 537 milionë dollarësh, të ndjekura nga ato të Bosnjë-Hercegovinës me 402 milionë dollarë.

Shifrat e financimeve nga USAID për Ballkanin Perëndimor:

  • Kosova: 537 milionë $
  • Bosnjë-Hercegovina: 402 milionë $
  • Maqedonia e Veriut: 290 milionë $
  • Serbia: 209 milionë $
  • Shqipëria: 189 milionë $
  • Mali i Zi: 77 milionë $

Përveç publikimit të këtyre shifrave, Grenell ka ngritur akuza se fondet e taksapaguesve amerikanë janë shpërdoruar për të financuar OJQ të krahut të majtë, me qëllim promovimin e politikave radikale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Amerikanët punojnë pa u lodhur dhe paguajnë taksa, ndërsa politikanët në Uashington i shpërdorojnë këto fonde. Miliarda dollarë janë dhënë për OJQ të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vende të tjera. Ky është vetëm një fragment nga USAID,” ka shkruar ai.

Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, ish-presidenti Trump vendosi një pezullim 90-ditor të ndihmave për vendet e huaja, përfshirë Shqipërinë, me qëllim rishikimin e efikasitetit dhe përputhshmërisë së tyre me politikën e jashtme të SHBA-së. Kjo masë parashikon ndërprerjen e fondeve amerikane deri në një vendim të dytë nga administrata e Trump.

Ndërkohë, ish-drejtoresha e USAID-it, Samantha Power, është akuzuar nga Grenell për përdorimin e fondeve publike për të financuar organizata të krahut të majtë, duke i bërë thirrje FBI-së që ta hetojë këtë çështje. Në të njëjtën linjë, edhe Elon Musk e ka cilësuar USAID-in si një organizatë kriminale, duke deklaruar se ka ardhur koha që ajo të “shuhet”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit