Në Jabllanicë të Gjakovës iu dha sot lamtumira e fundit tre të rinjve që humbën jetën në shembjen e tmerrshme të shtëpisë pasditen e së shtunës.
“Kjo është një prej ditëve më të rënda që i kemi përjetuar bashkë”, tha deputeti i zonës Ardian Gjini në fjalën e tij gjatë ceremonisë së varrimit.
“Idealin, Ramën dhe Vetonin sot po i përcjellim në amshim. Këta tre engjëj do t’i kemi në zemër tanë jetën”, shtoi ai.
Ish-drejtori i shkollës ‘Dëshmorët e Kombit’ ku studionin të ndjerët tha se Ideali, 14-vjeçar, Rama e Vetoni 15-veçarë, ishin “shembuj të nxënësve të përkushtuar e me sjellje shembullore”.
Tre fëmijët humbën jetën të shtunën si pasojë e shembjes së një objekti në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës, në një tragjedi që ka tronditur vendin.
Ideal Ramaj, Ramë Mehmetaj dhe Veton Morina u vranë kur në rrethana të panjohura ndërtesa e pabanuar brenda të cilit qëndronin u shemb duke i zënë brenda.
Ata u varrosën sot në fshatin Shqiponjë (ish-Jabllanicë) mes qindra shokëve të shkollës, fqinjëve, figurave të politikës e dashamirësve që po përpiqen të kuptojnë këtë tragjedi.