Policia ka zbardhur ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Malësinë e Madhe, në fshatin Gruemirë, ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.
Bëhet fjalë për shtetasit Erion Vocrri, 22 vjeç, nga fshati Hot i Ri dhe Rivaldo Zmijanej (Planaj), 27 vjeç, nga fshati Shtoj i Vjetër, të cilët kishin shkuar me motor dhe të maskuar për të vjedhur në fshatin Gruemirë, por fillimisht kanë gjuajtur me armë ndaj kamerave të sigurisë të vendosura në banesën e familjes Kurtaj dhe më pas u larguan drejt një zone malore.
Pas disa orësh, Erion Vocrri dhe Rivaldo Zmijanej (Planaj) u kthyen nga zona malore, por këtë herë u ndeshën me tre vëllezërit Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj, të cilët i pritën në rrugë me një automjet.
Tre djemtë e familjes Kurtaj filluan t’i ndiqnin autorët, të cilët, sapo kuptuan se po ndiqeshin, hapën zjarr në tokë dhe në ajër me breshëri.
Ndjekja vazhdoi për rreth 10 minuta, deri kur njëri prej autorëve u rrëzua nga motori, por megjithatë arriti të largohej nëpër fushat e mbjella të fshatit.