Autori Fation Janina, i cili vrau 82-vjeçarin Paulin Gina në Durrës, ka pranuar se ka kryer krimin. Në dëshminë e dhënë, ai ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur pas një sherri për një borxh prej 200 mijë lekësh në banesën e viktimës, ku më pas e ka qëlluar.
“Po, unë e vrava Paulinin. Më kishte 200 mijë lekë borxh. E pashë dje që po dilte nga shtëpia nga kati i pestë, ku unë banoj te sheshpushimi i shkollave. I thashë hajde flasim për atë borxhin që më ke, se më duhen lekët për Vitin e Ri.
U futëm te shtëpia e tij. Debatuam aty dhe më tha se nuk kam lekë. Më ofendoi, më tha drogaxhi. Aty e humba qetësinë. U përleshëm afro një orë. Ai donte të më godiste me çekiç, unë gjeta një thikë dhe e qëllova disa herë. Pastaj e qëllova edhe disa herë me çekiç derisa ngeli i shtrirë në tokë.
Më pas mora thikat dhe çekiçin dhe i dërgova në shtëpinë time. Kur dola, mbylla derën e jashtme të tij me çelës. Shkova në shtëpi, fsheha thikat dhe çekiçin, ndërrova rrobat e gjakosura dhe, në gjendje të rënduar psikologjike, ika nga shtëpia nga frika e policisë”, – tha ai.