Shqiptarët janë populli më mosbesues në rajon. 89% e tyre nuk i besojnë njëri-tjetrit dhe tregohen tepër të rezervuar në marrëdhëniet sociale. Ky fakt është konfirmuar nga studimi i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), ku shqiptarët dhe kosovarët renditen më mosbesuesit krahasuar me serbët dhe malazezët.
Në këtë atmosferë dyshimi, shqiptarët e kanë të vështirë të besojnë edhe tek institucionet, veçanërisht administratën publike, ku 65% e të anketuarve thonë se nuk kanë besim fare. Shëndetësia, e cila duhet të ofronte siguri, është gjithashtu një kapitull i humbur, pasi për qytetarët korrupsioni është përhapur kudo, madje edhe në sektorët më të ndjeshëm si shëndetësia dhe policia.
E po, si mund t’i besosh shtetit kur edhe ai ka “çarë përpara” duke korruptuar?
Shqiptarët e gjejnë besimin tek familja. 95% të anketuarve besojnë pa kushte tek të afërmit. Padyshim, kjo është edhe një shenjë se kur asgjë tjetër nuk të jep siguri, do të kthehesh tek ata që të njohin më mirë. Nga ana tjetër, nuk u besojnë njerëzve që takojnë për herë të parë dhe për këtë kanë të drejtë duke marrë parasysh besimin e paktë te çdo formë autoriteti në këtë vend.