Çmime marramendëse në Qendër: 9 mijë lekë për një verë të ngrohtë në gotë kartoni!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.12.2024, 21:58

Një qytetar ka denoncuar në JOQ një përvojë skandaloze me çmimet dhe shërbimin te shtepiza e “Trodo Cafe” në qendër të Tiranës gjatë një koncerti. Sipas tij, një gotë verë e ngrohtë si “shurup” në një gotë kartoni kushtonte plot 9 mijë lekë, ndërsa një çokollatë e ngrohtë arrinte çmimin e 6 mijë lekëve.

Pasi porositi dy gota verë dhe një çokollatë, klienti mbeti i shokuar kur duhet të paguante 24 mijë lekë, një shumë që ai e konsideron abuzive dhe të pajustifikueshme për produktet e ofruara. Për të sqaruar situatën, klienti i kërkoi kamarierit faturën, por has në një sjellje të papranueshme: “Filloi të bënte lojëra fjalësh dhe nuk më dha asnjë faturë të rregullt,” tha qytetari.

Shtepiza e "Trodo Cafe" ishte e mbushur plot me klientë për shkak të koncertit që po mbahej aty pranë, dhe sipas qytetarit, situata nuk i lejonte të hetonte më tej nëse çmimet ishin realisht kaq të larta apo stafi po abuzonte në atë moment me klientët.

“Është e papranueshme që të shfrytëzojnë ngjarje të tilla për të vendosur çmime të tilla stratosferike, aq më tepër kur shërbimi lë shumë për të dëshiruar. Një gotë verë e ngrohtë në karton nuk mund të kushtojë 9 mijë lekë!” shtoi qytetari i revoltuar.

Gjithashtu qytetari u ankua edhe për çmimin e lartë të një gote të vogël me birrë që i kushtoi 8 mijë lekë të vjetra.

Kjo ngjarje ngre sërish pyetjen për kontrollin e çmimeve dhe transparencën e shërbimeve në zonat e mbipopulluara nga aktivitetet kulturore dhe argëtuese. Ndërkohë, mbetet për t'u parë nëse autoritetet do të ndërhyjnë për të mbrojtur konsumatorët nga praktika të tilla abuzive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit