“S’kemi para për festat, 2 muaj pa marrë kompensimin e ushqimeve”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.12.2024, 20:27

Një ushtarak i repartit ushtarak 1032 në Gjirokastër ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania mos marrjen e kompensimit të ushqimeve për dy muaj rresht.

Ai thekson vështirësitë ekonomike me të cilat përballen ushtarakët, veçanërisht teksa ndodhemi në ditët e festave të fundvitit.

Sipas tij, ata kërkojnë vetëm atë që u takon, pasi shpërblimi nga qeveria për ta duket si një ëndërr.

Mesazhi i plotë i tij:

Përshëndetje JOQ! Një denoncim duam të bëjmë për financën e repartit ushtarak Gjirokastër 1032. Kemi 2 muaj pa marrë kompensimin e ushqimeve. Na kanë gënjyer. Kemi halle, kemi njerëz të sëmurë, nuk kemi lekë të bëjmë as ditën e fundit të vitit që të gjithë njerëzit gëzojnë. Tallen me njerëzit. Kanë plot 2 muaj. Shpërblim shteti s'ka shanse të na japë, por të paktën të marrim lekët që na takojnë. Ju lutem, publikojeni, mbase reflektojnë, se kemi ngelur pa lekë ditët e festave. Turp! Anonim ju lutem, se na heqin nga puna."

Ky mesazh reflekton shqetësimin dhe zhgënjimin e ushtarakëve që përballen me vështirësi të thella financiare për shkak të vonesës së kompensimeve.

Në një kohë kur festat duhet të jenë momente gëzimi dhe solidariteti, këta punonjës të shtetit ndihen të lënë pas dore.

JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit