Hajdutët bëjnë “kërdinë” në fshatrat e Levanit, në shënjestër shpendët dhe bagëtitë e imëta

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 30.12.2024, 18:58

Fshatrat e njësisë administrative të Levanit janë përballur ditët e fundit të vitit me një valë vjedhjesh që kanë vënë në shënjestër shpendë dhe bagëti të imëta.

Në fshatin Bishan, Nimet Bofen, që kishte planifikuar shitjen e gjelave të detit për të siguruar të ardhura shtesë, mbeti i zhgënjyer pasi persona të paidentifikuar i vodhën 14 gjela. Edhe pse policia u njoftua për rastin, banori shprehet se nuk pati asnjë rezultat konkret.

“U futën nga mbrapa i morën 14 kokë, siç ishin të tërë. I morën të gjitha. Lajmëruam policinë, erdhën e panë, e bënë, asnjë lloj muhabeti nuk zgjidhën. I mban një vit aty dhe vjen ti merr në fund të vitit.”

Një situatë e ngjashme ka ndodhur me një tjetër banor, të cilit i vodhën tre dele dhe një dhi, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar. Sipas tij, vjedhjet janë shtuar në zona të ndryshme, përfshirë Levanin dhe fermat përreth.

“Mua më kanë vjedhur tre dele dhe një dhi. Tani janë shtuar këto vjedhjet. Ku dëgjon jo vodhën në Levan, jo vodhën në Fermë Fitore, në Fermë Çlirimi. Po, po vidhet. Po vidhet.”

Banorët që kanë rënë preh e këtyre vjedhjeve shprehen të pakënaqur me punën e policisë, ndërsa të tjerë kanë nisur vetë të marrin masa.

Policia lokale bën të ditur se disa prej autorëve të këtyre vjedhjeve janë identifikuar si banorë të zonave të largëta, por shumë raste ende nuk janë zbardhur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit