Në redaksinë tonë ka mbërritur një denoncim në lidhje me cilësinë e dobët të punimeve në trotuarin e rrugës Ersekë-Rehovë, investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë prej 178 milionë lekësh.
Një qytetar na shkruan se trotuari i ri, i cili u përurua një vit më parë gjatë periudhës së festave, po dëmtohet në mënyrë të dukshme.
Qytetari thotë se në ndërtimin e trotuarit nuk është përdorur beton nën bordurat e betonit, duke e bërë strukturën të dobët dhe të paqëndrueshme. Gjithashtu, ai pretendon se pllakat e përdorura janë të një cilësie shumë të ulët, pasi shpërbërëhen me lehtësi, duke nxjerrë në pah probleme serioze në standardet e ndjekura gjatë punimeve.
Kjo situatë ngre shqetësime mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike, cilësinë e projekteve infrastrukturore dhe transparencën me publikun se ku shkojnë këto fonde.
Mesazhi i plotë:
“Vjedhjet në Bashkinë Kolonjë vazhdojnë ditën për diell! Shiheni si po shkatërrohet trotuari i ri i rrugës Ersekë-Rehovë. Shikoni çfarë punimesh janë kryer ku nuk është hedhur aspak beton poshtë bordurave të betonit të trotuarit kurse pllakat janë cilësi aq e dobët sa po shkërmoqen siç shpërbëhet kripa në ujë! Çuçka(Erion Isai) ky kryetar bashkie hajdut i Rilindjes vazhdon të grabisë një nga bashkitë më të varfëra të Shqipërisë! Sapo ka mbushur një vit, vjet në këto ditë festash është përuruar me bujë të madhe! Ersekë – Rehovë”.