Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i kërkoi falje presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për atë që Kremlini e quajti një "incident tragjik" ku një avion i Azerbaijan Airlines u përfshi në një aksident tragjik pas aktivizimit të mbrojtjes ajrore ruse kundër sulmeve me dronë ukrainas.
Putin, në një telefonatë me presidentin Aliyev, kërkoi falje për incidentin dhe shprehu ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave, si dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Sidoqoftë, Kremlini nuk deklaroi se avioni ishte rrëzuar nga mbrojtja ajrore ruse, duke theksuar se është hapur një çështje penale për rastin.
Rusia deklaroi se, në atë kohë, qytetet Grozni, Mozdok dhe Vladikavkaz ishin nën sulm nga dronë ukrainas dhe sistemet ruse të mbrojtjes ajrore po përpiqeshin t’i neutralizonin.
Fluturimi J2-8243, që ishte nisur nga Baku drejt Groznit, në Çeçeni, u ul me emergjencë të mërkurën pranë Aktau në Kazakistan, pasi devijoi nga rruga për shkak të sulmeve me dronë ukrainas në qytete të ndryshme të Rusisë jugore. Në këtë aksident humbën jetën 38 persona, ndërsa 29 të tjerë mbijetuan mrekullisht.
Katër burime të njohura me hetimet paraprake në Azerbajxhan i thanë agjencisë Reuters se mbrojtja ajrore ruse kishte qëlluar gabimisht avionin. Pasagjerët raportuan se dëgjuan një shpërthim të fortë jashtë avionit përpara incidentit.
Nga ana e tij, Aliyev theksoi se avioni ishte "subjekt i ndërhyrjeve fizike dhe teknike të jashtme në hapësirën ajrore ruse," gjë që solli humbjen totale të kontrollit dhe devijimin drejt qytetit Aktau në Kazakistan.
Sulmet masive me dronë të Ukrainës kanë sjellë sfida të reja për sistemet ruse të mbrojtjes, të cilat shpesh përdorin bllokues elektronikë dhe raketa për t’i neutralizuar.
Ky rast sjell në vëmendje tragjeditë e mëparshme ajrore si rrëzimi i avionit ukrainas në Iran më 2020 dhe i fluturimit MH17 në Ukrainë më 2014, ku Rusia është akuzuar si përgjegjëse.