Zjarrfikësit, që rrezikojnë jetën për të mbrojtur qytetarët, po përballen me kushte të papërshtatshme dhe një trajtim të padrejtë që vazhdon prej kohësh.
Një denoncim i bërë në redaksinë tonë, nga një qytetar, që është pjesë e këtij grupi, tregon një panoramë të errët të kushteve të tyre të punës.
Një situatë që nuk mund të kalojë pa u vënë re është mungesa e mjeteve dhe uniformave për zjarrfikësit dhe mospagimi i orëve të natës dhe ato të shtunave/dielave, ndërsa paga e 13-të, e cila është një e drejtë e garantuar nga Kodi i Punës, nuk u jepet.
Përveç kësaj, problemi me shpërblimet është i dukshëm. Qeveria mund të ketë ndihmuar vitin e kaluar, por bashkitë kanë shpërndarë shpërblimet në mënyrë të padrejtë, duke e katandisur këtë shpërblim në një vlerë të papërfillshme.
Gjithashtu, bashkangjiti disa fotografi ku duken qartë kushtet e mjerueshme me të cilat përballen çdo ditë zjarrëfikësit.
Institucionet përkatëse duhet të ndërhyjnë menjëherë për të përmirësuar kushtet e punës dhe shpërblimet për zjarrfikësit. Ata meritojnë mbështetje, pasi rrezikojnë jetën çdo ditë për të shpëtuar të tjerët.
Mesazhi i qytetarit:
"Jam një punonjës zjarrfikës dhe dua të ndaj disa shqetësime lidhur me kushtet e punës që janë shumë të papërshtatshme. Nuk kemi mjete dhe as uniforma, ndërsa kushtet financiare janë alarmante. S’na paguhen orët e natës, orët e shtunë/diel dhe as paga e 13-të sipas Kodit të Punës. Edhe vitin e kaluar, kur qeveria dha shpërblimin, u katandis kaposhi një thelë, sepse bashkitë na i përgjysmuan. Problemet dhe vjedhjet mbi kurrizin e zjarrfikësve janë të pafundme. Ju lutem na ndihmoni! ", shkruan qytetari.