Në Shqipëri, strehimi mbetet një nga sfidat kryesore për qytetarët, sidomos në Tiranë, ku çmimet e apartamenteve janë ndër më të lartat në vend.
Me një pagë minimale prej 40,000 lekësh, një banor i kryeqytetit do të duhet të kursejë 312 paga mujore, ose mbi 25 vite, për të blerë një apartament prej 100 metrash katrorë, që kushton mesatarisht 125,000 euro. Me këtë nivel çmimi, momentalisht mund të gjesh shtëpi vetëm në Paskuqan, pasi për më afër qendrës, vitet do të shtoheshin ndjeshëm. Ky realitet pasqyron një hendek të madh midis të ardhurave dhe çmimeve të banesave, duke e bërë sigurimin e një strehe një synim të largët për shumicën.
Ndërkohë, një studim i fundit nga platforma BestBookers.com rendit Danimarkën si vendin evropian më të përballueshëm për strehim, ku për blerjen e një apartamenti prej 100 metrash katrorë nevojiten vetëm 114 paga mujore, ose më pak se 10 vite kursime. Irlanda dhe Suedia ndjekin me radhë, me 123 dhe 129 paga për blerjen e një apartamenti. Në rajonin e Ballkanit, Maqedonia e Veriut ofron përballueshmëri më të mirë krahasuar me fqinjët, duke kërkuar 215 paga për një shtëpi, ndërsa në Greqi kjo shifër arrin në 228 paga.
Në fund të listës evropiane për përballueshmërinë e strehimit qëndrojnë Republika Çeke dhe Sllovakia, ku qytetarët duhet të kursejnë përkatësisht 274 dhe 297 paga mujore për të blerë një apartament. Në rajonin tonë, vende si Bosnja, Mali i Zi dhe Sllovenia kërkojnë mbi 20 vite kursime.