Kina ka prezantuar sot luftanijen më të madhe amfibe në botë. Kjo lëvizje vjen ndërsa Kina synon të rivalizojë fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuar, duke forcuar më tej flotën e saj detare, e cila konsiderohet si më e madhja në botë.
Anija e gjeneratës së re 076, e quajtur “Sichuan” sipas provincës jugperëndimore kineze, u lançua të premten në një ceremoni në Shangai, njoftoi Flota e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLAN).
Kjo anije përshkruhet si një "aset kyç" për transformimin e Marinës kineze dhe për forcimin e aftësive të saj operacionale në distanca të gjata. Me një peshë të plotë mbi 40,000 ton, ajo është një nga anijet më të mëdha sulmuese amfibe në botë, duke përfshirë një superstrukturë të dyfishtë dhe një pistë të gjatë fluturimi.
Tipari më i spikatur i saj është sistemi elektromagnetik për nisjen e avionëve, i cili i mundëson të mbajë avionë me krahë të fiksuar, helikopterë dhe pajisje amfibe. Ky sistem e bën të mundur nisjen e avionëve më të mëdhenj dhe më të rëndë, duke rritur distancën dhe kapacitetin luftarak të tyre.
Deri më tani, vetëm një tjetër anije luftarake në botë, aeroplanmbajtësja më e re amerikane “USS Gerald R. Ford”, përdor një sistem të tillë.
Megjithëse Kina nuk ka ende avionë me krahë të fiksuar që mund të krahasohen me F-35B e Marinës Amerikane, raportet sugjerojnë se kjo anije mund të përdoret si platformë e madhe për dronë. Flota kineze ka një arsenal të avancuar dronësh, përfshirë modelin stealth GJ-11 dhe dronin e zbulimit WZ-7.
Gjithashtu, “Sichuan” pritet të mbajë helikopterë dhe mjete zbarkimi amfibe, të afta për të transportuar mbi 1,000 marinsa. Me madhësinë e saj të madhe, ajo ka kapacitet për të mbajtur më shumë pajisje dhe trupa se anijet ekzistuese të Marinës kineze.
Ekspertët vlerësojnë se ndërtimi i kësaj anijeje është një tregues i qartë i angazhimit të Kinës për të zgjeruar fuqinë e saj detare, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po përballen me sfida për të ruajtur kapacitetet e tyre në misionet amfibe dhe humanitare.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, rivaliteti mes dy fuqive më të mëdha detare të botës, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.