Për shkak të neglizhencës në trajtimin mjekësor, disa mjekë në Fier janë pezulluar nga detyra. Prokuroria e Fierit njoftoi këtë të premte se rasti ka lidhje me vdekjen e një personi, ngjarje që ndodhi më 3 shkurt 2022.
Nga hetimet ka rezultuar se më 03.02.2022, salla operative ishte njoftuar se një person, shtetasi A.Sh., ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Patosit. Ky person kishte shkuar në spitalin e Patosit në orët e para të mëngjesit dhe, pas një trajtimi, ishte dërguar me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, për t’u kthyer më pas në Patos, ku ka qëndruar në një lokal dhe ka ndërruar jetë. Hetuesit kanë marrë informacion nga mjekët e turnit që ndodheshin në zyrën e mjekëve dhe kanë konstatuar se ata kanë mohuar njohurinë për rastin dhe për praninë e shtetasit A.Sh., i cili ishte paraqitur me dhimbje gjoksi.
Prokuroria informon se pas administrimit të aktit të ekspertimit mjekoligjor, u arrit në përfundimin se nga ana e personelit mjekësor ka pasur elementë të neglizhencës që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në pasojat e ngjarjes.
“Duke pasur parasysh këto rrethana, ekziston dyshimi i arsyeshëm se mjekët kanë neglizhuar në trajtimin e duhur të rastit, duke çuar në vdekjen e të ndjerit,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Për këtë arsye, në kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier vendosi më 21 dhjetor 2024, të caktojë masën e sigurimit për tre persona të përfshirë në këtë rast.