Rritet me 34% numri i aksidenteve në vend nga janari deri në nëntor

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 27.12.2024, 12:07

Rrugët e vendit kanë qenë më të qeta këtë fundvit, me një rënie të numrit të aksidenteve dhe të aksidentuarve gjatë muajit nëntor. Sipas INSTAT, në muajin Nëntor 2024 u regjistruan 147 aksidente rrugore, krahasuar me 167 aksidente në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) ra nga 212 në nëntor 2023, në 188 këtë vit.

Të dhënat e INSTAT janë paraprake dhe mund të përditësohen. Megjithatë, për periudhën janar-nëntor, si numri i aksidenteve ashtu edhe i të aksidentuarve është rritur ndjeshëm. Në këtë periudhë janë regjistruar gjithsej 1517 aksidente, një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ndodhën 1128 aksidente.

Numri i të aksidentuarve ka kaluar mbi 2000 persona, duke shënuar një rritje prej 36%. Pavarësisht kësaj, vdekshmëria nga aksidentet rrugore ka pësuar ulje, duke zbritur nga 15,7 për 100 aksidente në periudhën janar-nëntor 2023, në 9,8 për 100 aksidente në 2024.

Në 90,5% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha më e prekur ka qenë 25-34 vjeç, duke kontribuar me 26,5% të aksidenteve të regjistruara.

Sipas të dhënave, në muajin Nëntor, dita me numrin më të lartë të aksidenteve ka qenë e mërkura, me 18,4%, ndërsa dita me numrin më të ulët ka qenë e hëna, me 10,2%. Ora më e rrezikshme për aksidente ka rezultuar periudha 17:00-19:00, ku ndodhi 25,2% e aksidenteve të muajit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit