Dhjetëra banorë të pesë fshatrave të Roskovecit, Suk 1, Suk 2, Arapaj, Jagodinë dhe Strum, protestuan ditën e djeshme kundër ndërtimit të një termocentrali të ri me kapacitet 170 MW, që u miratua nga Këshilli i Ministrave një javë më parë.
Banorët e këtyre fshatrave e quajtën projektin një "vepër kriminale" dhe shprehen shqetësim se ndërtimi i termocentralit do të dëmtojë mjedisin dhe do të kërcënojë bujqësinë, aktivitetin kryesor ekonomik të zonës.
Ata theksuan se toka që do të shfrytëzohet është e pasur për bujqësi dhe serra, duke furnizuar tregjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.
Në mbështetje të argumenteve të tyre, protestuesit kërkuan që të ndalohet ky projekt, duke theksuar rrezikun për ndotje të mjedisit dhe ndikimin negativ në shëndetin e tyre dhe në ujin e pijshëm. Ata akuzuan qeverinë për mungesë konsultimesh dhe dëgjesash publike për këtë projekt, dhe kërkuan që zëri i tyre të merret parasysh.
Protestuesit kërkuan që qeveria të rishikojë vendimin dhe të marrë parasysh ndikimet mjedisore dhe ekonomike që mund të sjellë ky projekt në një zonë që deri tani ka qenë e pastër nga industrisë.
Për të kundërshtuar ndërtimin e këtij termocentrali të Bashkim Ulajt dhe Belinda Ballukut që do ngrihet dhe në mes të fshatit, banorët vendosën të çojnë padi në Gjykatën Administrative dhe nisjen e një peticioni bashkë me dosjen e korrupsionit drejt eurodeputetëve të Parlamentit Europian.
Në shenjë revolte ata i kanë vënë flakën një prej shtyllave të betonit, që është vendosur për piketim e TEC-it qw do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a e cila aksionerë ka kompaninë greke DEPA COMMERCIAL S.A. 35% dhe kompaninë tjetër greke GEK TERNA Holdings 35% ndërkohë që GENER 2 zotëron 30% të aksioneve.