“Avioni azer u rrëzua nga sistemi mbrojtës rus!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.12.2024, 22:56

Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia e ndodhur ditën e djeshme ku një një avion azer i Azerbaijan Airlines u rrëzua në Kazakistan, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 38 personave, ndërsa 29 të tjerë arritën të mbijetonin mrekullisht.

Sipas disa burimeve për Reuters, avioni dyshohet se u godit nga sistemi raketor rus i mbrojtjes ajrore, Pantsir-S.

Fluturimi J2-8243, i nisur nga Baku drejt Groznit, devijoi qindra kilometra mbi Detin Kaspik, përpara se të përplasej e të shpërthente në flakë pranë qytetit Aktau në Kazakistan. Burimet tregojnë se komunikimet e avionit u paralizuan nga pajisje elektronike gjatë afrimit në Grozni.

Ndërkohë, Rusia nuk ka pranuar ende përgjegjësinë për incidentin. Zyrtarët e Kremlinit dhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë kanë kërkuar të priten përfundimet e hetimit. Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime të thella dhe kërkojnë një hetim të hapur dhe transparent mbi këtë çështje.

Pamjet e xhiruara nga pasagjerët treguan momente paniku brenda avionit, me maska oksigjeni të përdorura dhe njerëz të veshur me jelekë shpëtimi. Dëshmi të tjera tregojnë dëmtime nga shrapnel (copa të vogla metali që fluturojnë në ajër kur shpërthen një bombë ose raketë) në bishtin e avionit, duke shtuar dyshimet për goditje me raketë ajrore.

Ky incident ndodh në një periudhë tensioni të lartë në rajon, ku dronë ushtarakë ukrainas kanë goditur vazhdimisht jugun e Rusisë, duke aktivizuar sistemet e saj të mbrojtjes ajrore. Hetimet vazhdojnë, ndërsa mbetet e paqartë nëse Rusia do të pranojë rolin e saj në këtë tragjedi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit