Pas shpërthimit me lëndë plasëse që ka ndodhur në katin e nëntë të një pallati rreth orës 23:45, në Tiranë, kamerat e sigurisë kanë regjistruar një person që largohej me shpejtësi nga vendngjarja pesë minuta pas shpërthimit. Ai kishte të veshura pantallona të shkurtra dhe, sipas të dhënave paraprake, dyshohet të jetë Bernard Sinomataj.
Policia beson se ky shpërthim ishte planifikuar me dron dhe kishte për shënjestër Bernard Sinomatajn. Pas ngjarjes, policia ka kontrolluar vendin e shpërthimit dhe ka gjetur një dhomë me televizorin ende të ndezur, duke ngritur dyshime se aty mund të ketë pasur njerëz, megjithëse nuk është gjetur askush. Sasia e lëndës plasëse është konsideruar e vogël, pasi dëmtimet janë kufizuar vetëm në fasadën e murit.
Pronarja e apartamentit, e cila ndodhet jashtë Shqipërisë, ka dhënë një dëshmi të pjesshme përmes telefonit. Ndërkohë, Bernard Sinomataj nuk është gjetur nga autoritetet, dhe ai dyshohet të jetë shënjestra e sulmit për shkak të së shkuarës së tij. Ai është vëllai i Sokol Sinomatit, ish-anëtar i bandës së “Gaxhait”, dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, i ekzekutuar me snajper në Vlorë në janar të vitit 2024.