Një grup anketuesish të angazhuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për realizimin e anketës mbi emigracionin kanë ngritur shqetësimin se, pavarësisht përfundimit të punës së tyre që në tetor, ata ende nuk kanë marrë pagesat e premtuara.
Në një denoncim të bërë publik pranë JOQ Albania, një nga anketuesit shprehet: "Kemi përfunduar punën të gjithë anketuesit që në tetor dhe ende nuk kemi marrë pagesën. Kemi kontaktuar me përfaqësues të këtij institucioni, por askush nuk jep një përgjigje për këtë problem. Ju lutem, bëjeni publik këtë shqetësim."
Sipas burimeve, anketuesit kanë ndjekur procedurat e nevojshme për të kërkuar sqarime mbi vonesën, por institucionet përkatëse nuk kanë ofruar asnjë përgjigje zyrtare për situatën.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të projekteve nga INSTAT dhe mbi respektimin e të drejtave të punonjësve të angazhuar për përmbushjen e detyrave institucionale.
Denoncimi është bërë publik për të kërkuar transparencë dhe veprime të menjëhershme nga ana e INSTAT-it, duke shpresuar se autoritetet përkatëse do të reagojnë për të zgjidhur këtë problem dhe për të garantuar që pagesat e punonjësve të bëhen në kohë.