Tregjet shqiptare mbështeten kryesisht në importet për ushqimet e përpunuara, por ulja e çmimeve të këtyre produkteve në vendet e origjinës nuk po pasqyrohet në çmimet e pakicës.
Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i çmimeve të importit për ushqimet e përpunuara dhe pijet joalkoolike ra me 1.8% në tremujorin e tretë të vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, çmimet në raftet e supermarketeve u rritën me 2-3% për të njëjtën periudhë, bazuar në të dhënat mbi inflacionin.
Përveç uljes së çmimeve, importuesit janë favorizuar edhe nga nënçmimi i euros gjatë viteve të fundit, sipas Monitor. Shumë distributorë kanë përfituar ndjeshëm nga kjo situatë, pasi euro është dobësuar nga momenti i nënshkrimit të kontratave deri në bërjen e pagesave, duke sjellë fitime shtesë. Shumica e importeve realizohen në këtë valutë.
Pavarësisht këtyre uljeve, ushqimet e importuara nuk pasqyrojnë në mënyrë të drejtë ndryshimet e çmimeve nga tregjet ndërkombëtare. Çmimet e importit mbeten përbërësi kryesor i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri, ku importet e ushqimeve janë ende tre herë më të larta se eksportet.
Disa produkte bazë të shportës, si drithërat dhe vajrat vegjetale, pësuan ulje të ndjeshme të çmimeve të importit, por tregu i brendshëm reagoi me rritje çmimesh. Kjo ulje e çmimeve të importit u ndikua nga dy faktorë kryesorë: rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nënçmimi i euros. Inflacioni në Eurozonë zbriti në 2% në tetor 2024 nga 5% në vitin 2023, ndërsa kursi i këmbimit të euros ishte mesatarisht 101.7 lekë në 9-mujorin e 2024 krahasuar me 108 lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Studime të thelluara tregojnë se në rajonin e Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria, çmimet rriten më shumë se në tregjet ndërkombëtare, por nuk bien me të njëjtin ritëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar vërejti në një studim të posaçëm se përçimi i çmimeve të ushqimeve nga tregjet ndërkombëtare në ato vendore është më i lartë për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Kategoria kryesore e ushqimeve bazë, si drithërat dhe vajrat vegjetale, u goditën ndjeshëm nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, duke shënuar një rritje mesatare prej 9.4% në Ballkan gjatë vitit 2022, ndërsa në BE kjo rritje ishte vetëm 3.2%.