Janë zbuluar detaje të reja lidhur me shpërthimin që ndodhi pak ditë më parë në Tiranë, në katin e nëntë të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”. Sipas hetimeve, është konfirmuar se lënda plasëse është dërguar në apartament përmes një droni. Ekspertiza që do t’i bëhet mbetjeve të dronit pritet të ndihmojë në identifikimin e përgjegjësve.
Pronari i banesës ka dëshmuar para hetuesve se apartamenti ishte dhënë me qira një çifti dhe se ai vetë nuk kishte konflikte personale. Ndërkohë, shtetasja Elena Arza, e cila kishte marrë apartamentin me qira që nga fundi i muajit korrik, ende nuk është gjetur për t’u marrë në pyetje. Policia ka vijuar kërkimet për ta lokalizuar atë, por deri më tani pa sukses.
Ndërkohë, grupi hetimor është duke u përqendruar në gjetjen e personit të mundshëm që mund të ketë qenë shënjestra e këtij atentati. Dyshohet se Benard Sinomati ndodhej në apartament në momentin e shpërthimit, por ai është larguar para se policia të mbërrinte në vendngjarje. Në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë e Vlorës, hetuesit po përpiqen të marrin një dëshmi prej tij, e cila mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Nga hetimet rezulton se apartamenti është dhënë me qira në mënyrë të rregullt, me dokumentacionin që figuron në emër të shtetases E.A., një grua me origjinë nga Korça. Dyshimet e hetuesve lidhen me faktin se Benard Sinomati, i cili më parë ka qenë viktimë e disa atentateve në Vlorë, mund të ketë qenë shënjestra edhe e këtij sulmi. Një vit më parë, ai ishte gjithashtu i përfshirë në një ngjarje të ngjashme, ku një atentat me snajper i mori jetën nipit të tij, Gëzim Sinomati.
Sipas hetimeve paraprake, autorët e kësaj ngjarjeje të fundit dyshohet se e kanë ndjekur Sinomatin deri në Tiranë, duke përdorur një metodë të sofistikuar dhe tejet të rrezikshme, e cila mund të përbëjë një precedent shqetësues për akte të ngjashme në të ardhmen. Policia dhe prokuroria vijojnë punën për të zbardhur këtë ngjarje komplekse dhe për të identifikuar përgjegjësit.